Me një agjendë të ngjeshur shkencore ka nisur sot dita e dytë e Kongresit të VII të Mjekësisë, ku përveç ligjëratave paralele po zhvillohen edhe simpoziumi i III i Kardiologjisë, punëtori praktike dhe Panairi Mjekësor.
Këtë mëngjes, fokusi i profesionistëve u përqendrua te përparimet në reanimim pediatrik, ku ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë prezantuan zhvillimet më të fundit në trajtimin e rasteve kritike. Ndër ta, Dr. Inva Gjeta nga Shqipëria foli për shokun kardiogjenik pediatrik, ndërsa Dr. Petrit Gjaka prezantoi përdorimin e POCUS në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik (PICU).
Në një tjetër sallë po mbahen sesionet e temës “Sfidat kardiovaskulare në reanimim”, ku Prof. Dr. Vedat Elezi nga Franca trajtoi menaxhimin e kujdesit intensiv për pacientët me shok kardiogjen. Po ashtu, Prof. Dr. Sokol Mara shtjelloi çështjen e disponueshmërisë së udhëzimeve për përdorimin e pompës së balonës intraaortale (IABP) pranë pacientit, ndërsa Prof. Dr. Visnja Ivancan nga Kroacia foli për mbështetjen mekanike të qarkullimit të gjakut.
Krahas sesioneve shkencore, interesi mbetet i lartë edhe në Panairin Mjekësor, ku kompani të ndryshme po ekspozojnë pajisje dhe teknologji të avancuara, duke sjellë risitë më të fundit për profesionistët e shëndetësisë.
Punimet e kongresit do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës me ligjërata dhe diskutime të tjera tematike./Katror.info











