Sot nga ora 10:30 nis Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, që për herë të parë mbahet në Kosovë. Luftërat e bllokut final janë prej orës 16:00. Kjo do të jetë ngjarja më e madhe e xhudos e organizuar deri më tani në Kosovë.
Në një video që ka shpërndarë Unioni Evropian i Xhudos, paraqiten nikoqirët në përgatitjet e tyre. Trajneri i xhudistëve të Kosovës, Driton Kuka, shprehet i lumtur që më në fund garat do të zhvillohen në vendin e kampioneve botërorë të këtij sporti.
“Jam shumë i lumtur që atletë nga mbarë bota janë këtu dhe do të mund të shohin mikpritjen e njerëzve në Kosovë”, është shprehur Kuka.
Ndërkohë Distria Krasniqi po ashtu thotë se është nder për të të garojë në Kosovë.
“Është gara më e madhe që mbahet në Kosovë dhe jam shumë e motivuar, sepse do të garoj para turmës së Kosovës”.
E Kuka thotë se synimi janë medaljet.
“Unë gjithmonë them se si vend i vogël po të fitojmë vetëm një medalje, është sukses, do të synojmë më shumë, por edhe një është sukses. Duam të fitojmë një medalje për herë të parë në Kosovë”, u shpreh trajneri xhudos.
Evropiani i Hapur organizohet në kuadër të programit “Kosova, shtet i xhudos” dhe gjithçka është gati për nisje.
Asistenti i projektit “Kosova, shtet i xhudos”, si dhe përfaqësuesi i Federatës së Xhudos së Kosovës, Mustafë Veseli, ka thënë se përgatitjet kanë nisur shumë kohë më parë që palestra në Prishtinë të marrë pamje evropiane, shkruan Koha.net.
Veseli ka theksuar se për të arritur deri në këtë pikë të organizimit të një ngjarjeje të rëndësishme është dashur punë e madhe dhe shumë mund.
“Vetë organizimi ka shkuar mirë, zyra e Federatës, Administrata e Federatës ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, punë të mrekullueshme sa u përket kontakteve, aranzhimeve, gjitha të tjerave rreth kësaj gare. Punët kanë filluar shumë herët rreth palestrës. Pastaj jemi angazhuar të gjithë së bashku. Mysafirët kanë ardhur, garuesit kanë ardhur. Akomodimi në hotel, transporti, gjithçka tjetër ka shkuar shumë mirë. Deri më tani fjalët dhe komentet prej komisionerëve të Unionit Evropian janë shumë të mira”, ka thënë Veseli të premten për KOHËN.
Në këtë ngjarje të madhe të xhudos në Prishtinë në tatami do të dalin emra elitarë të xhudos evropiane.
Në konkurrencën e xhudisteve do të garohet në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa kategoria e meshkujve do të jetë deri në 73 kilogramë.
Shpërblimi total do të jetë 300 mijë euro dhe kjo e bën të veçantë këtë ngjarje.
Fituesit do të shpërblehen me nga 55 mijë euro, finalistët me nga 35 mijë euro, vendet e treta me nga 20 mijë euro, kurse xhudistët e vendit të pestë me nga 10 mijë euro.
Kosova do të përfaqësohet me kampionet olimpike Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Krasniqi garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, por të shtunën do të sfidohet në kategorinë deri 57 kilogramë.
Te meshkujt do të garojnë Akil Gjakova e Dardan Cena, përcjell albinfo.ch.
Në këtë ngjarje gjithsej do të marrin 26 shtete, ndërsa do të garojnë 40 xhudistë gjithsej.
Kosova e kishte të drejtën e përfaqësimit me dy xhudistë e dy xhudiste, ndërsa vendet e tjera evropiane me nga një.
Prej emrave të mëdhenj që do të zbarkojnë në Prishtinë te femrat janë: Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë, Timna Nelson Levy e Izraelit e Priscilla Gneto e Francës.
Ndërkohë te meshkujt janë: Hidayet Heydarov i Azerbajxhanit, legjenda gjeorgjiane, Lasha Shavdatuashvili, spanjolli Salvador Cases Roca, Manuel Lombardo i Italisë dhe xhudisti nga Moldavia, Petri Pelivan./Katror.info