Ministri në detyrë i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për një zbulim të rëndësishëm arkeologjik në lokalitetin e Ulpianës.
Ai ka thënë se ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.
“Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon,” njoftoi Çeku.
Ministri theksoi se punimet në Ulpianë dhe në lokalitete të tjera si Dresniku po zhvillohen në toka publike të shpronësuara vitin e kaluar dhe se trashëgimia arkeologjike po trajtohet me seriozitet të lartë.
Aktualisht po punohet në konservimin dhe menaxhimin e lokaliteteve, me mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë dhe me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e studimeve dhe publikimeve shkencore.
Sipas Çekut, këto zbulime hedhin dritë mbi historinë e vendit dhe janë një dëshmi e rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Ai ka theksuar përkushtimin për të vijuar kërkimet dhe mbrojtjen e pasurisë arkeologjike të vendit./Katror.info