Arkeologët thanë të mërkurën se kanë gjetur strukturën më të vjetër prej druri të zbuluar ndonjëherë, që daton gati gjysmë milioni vjet më parë, duke sugjeruar që paraardhësit tanë mund të kenë qenë më të avancuar nga sa mendohej më parë.
Një strukturë druri e ruajtur jashtëzakonisht mirë u zbulua në Kalambo Falls në veri të Zambisë pranë kufirit me Tanzaninë.
Ajo daton të paktën 476,000 vjet më parë, shumë përpara evolucionit të Homo sapiens, sipas një studimi që përshkruan zbulimin në revistën Nature, shkruan Katror.info.
Druri ka shenja të prera që tregojnë se veglat prej guri janë përdorur për të bashkuar dy trungje të mëdhenj për të bërë një strukturë, që besohet të jetë një platformë, vendkalim apo objekt i ngritur për të mbajtur të afërmit tanë mbi ujë.
Një koleksion veglash prej druri, duke përfshirë një pykë dhe një shkop gërmimi, u zbulua gjithashtu në vend.
Dihet se në atë kohë paraardhësit e njerëzve përdornin dru, por për qëllime të kufizuara, si ndezja e zjarrit apo gjuetia.
Larry Barham, një arkeolog nga Universiteti Britanik i Liverpulit dhe autori kryesor i studimit, i tha AFP se, sipas njohurive të tij, mbajtësi i mëparshëm i rekordit për strukturën më të vjetër prej druri daton rreth 9000 vjet më parë.
Barham tha se struktura ishte një “zbulim aksidental” i bërë në vitin 2019 gjatë gërmimeve në vend, i cili ndodhet në brigjet e lumit Kalambo, mbi një ujëvarë 235 metra të lartë.
Zbulimet që përfshijnë dru të tillë të lashtë janë të rralla, pasi druri priret të kalbet duke lënë pak gjurmë.
Por niveli i lartë i ujit në Kalambo Falls besohet se e ka ruajtur strukturën gjatë shekujve.
Gërmimet në vendin e Kalambo në vitet 1950 dhe 1960 zbuluan disa struktura prej druri, por të cilat nuk kishte mundësi të datohen me saktësi.
Megjithatë, këtë herë arkeologët përdorën një metodë të re të quajtur datimi i luminescencës, e cila përcakton moshën duke matur kohën kur mineralet u ekspozuan për herë të fundit në rrezet e diellit.
Kjo zbuloi se struktura është shumë më e vjetër nga sa mendonin dhe daton të paktën 476,000 vjet më parë.
Dëshmia më e hershme e Homo sapiens daton rreth 300,000 vjet më parë.
Por mbetjet e një të afërmi njerëzor, Homo heidelbergensis, që mendohet se ka jetuar 700,000 deri në 200,000 vjet më parë, janë gjetur në rajon, tha Barham.
Zbulimi i strukturës prej druri “ndryshoi mendimin tim për këta njerëz”, shtoi Barham.
“Ata e transformuan mjedisin e tyre për ta bërë jetën më të lehtë, edhe nëse do të ishte thjesht duke krijuar një platformë ku ata mund të ulen pranë lumit dhe të kryejnë punët e tyre të përditshme”, tha ai.
“Ata përdorën inteligjencën, imagjinatën dhe aftësinë për të krijuar diçka që nuk e kishin parë kurrë më parë, diçka që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë.”
Ai sugjeron një nivel abstrakt të të menduarit dhe “ndoshta edhe të një gjuh”.
Sophie Archambault de Beaune, një arkeologe në Universitetin Lyon të Francës, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, tha se struktura “presupozon aftësi njohëse si planifikimi dhe aftësia për të vizualizuar produktin e përfunduar”./Katror.info