Robert Prevost nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhur Papa i ri. Ai është amerikani i parë i zgjedhur si papë, i cili do të njihet si Papa Leo XIV.
Zgjedhja e tij u bë e ditur fillimisht për publikun pasi tymi i bardhë u ngrit mbi Kapelën Sistine në Vatikan, duke sinjalizuar se 133 kardinalët e Kishës Katolike kanë zgjedhur papën e ri.

Tradicionalisht, njoftimi bëhet në gjuhën latine me fjalët: “Annuntio vobis gaudium magnum: Habemus Papam!” – “Ju sjell një lajm të gëzueshëm: Kemi një Papë!” , shkruan AP, përcjell Katror.info.
Pasi votimi përfundon me sukses dhe arrihet shumica prej dy të tretave, kardinali më i vjetër pyet të zgjedhurin: “E pranoni zgjedhjen tuaj si Papë?” Pas përgjigjes pohuese, atij i kërkohet të zgjedhë emrin me të cilin dëshiron të njihet gjatë pontifikatit të tij.
Në vijim, kardinalët i japin atij nderimin dhe i shprehin besnikërinë, ndërsa ai përgatitet për daljen e parë publike si kreu i ri i Kishës Katolike. Papa i ri më pas jep bekimin apostolik për dhjetëra mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
Atmosfera në Romë është mbushur me emocion, ndërsa qindra gazetarë dhe mijëra pelegrinë presin me padurim momentin historik të shpalljes së Papës së ri.
Zgjedhja e Papës përfaqëson jo vetëm një moment solemn për Kishën Katolike, por edhe një drejtim të ri shpirtëror për mbi 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën./Katror.info