Sulmuesi francez me përvojë, Olivier Giroud, është në bisedime të avancuara për t’u bashkuar me ekipin francez Lille, sipas raportimeve të fundit nga burime të afërta me klubin.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, Lille ka arritur një marrëveshje për transferimin e 38-vjeçarit, i cili aktualisht është pjesë e ekipit Los Angeles FC në Major League Soccer (MLS). Kontrata e tij në SHBA përfundon në fund të vitit 2025, por pritet që palët të ndërpresin bashkëpunimin për t’i hapur rrugë rikthimit të tij në Francë.
Nëse gjithçka konkretizohet, Giroud do të firmosë një kontratë njëvjeçare me klubin francez, duke shënuar kështu rikthimin e tij në Ligue 1 pas më shumë se 10 vitesh largimi. Më parë, ai ka qenë pjesë e klubeve si Montpellier, Tours, Grenoble dhe Istres.
Edon Zhegrova, lojtari i Kosovës, është aktualisht pjesë e Lille, dhe ardhja e Giroud shihet si një përforcim i rëndësishëm pas largimit të Jonathan David në fund të sezonit 2024/25.
Përveç aventurës në MLS, karriera e Giroud përfshin edhe klube prestigjioze si Arsenal, Chelsea dhe AC Milan. Ai gjithashtu mban rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses franceze./Katror.info