Gazeta e madhe zvicerane, 20 Minuten, ka publikuar të enjten një shkrim për boksierin Eris Bajra. 23-vjeçari të shtunën bokson për titullin “IBO World Youth” në kategorinë uelter. Nuk bëhet fjalë për ndonjë titull të rëndësishëm në boks, ndërsa Bajra ka bilanc prej gjashtë fitore e një humbje në profesionizëm.
Ai si fëmijë kishte luajtur futboll. Më pas bëri karrierë në kikboks e tani është në boks. Ka treguar se ushtron dy herë në ditë dhe gjashtë ditë në javë.
Trajneri i Bajrës, Istvan Szili ka lavdëruar boksierin me rrënjë nga Kosova për disiplinën që e ka.
Bajra, që jeton në Basel, pret përkrahjen e kosovarëve dhe zviceranëve në Ludwigsburg të Gjermanisë, ku zhvillohet meçi.
“Prindërit e mi janë rritur në Kosovë dhe unë kam lidhje atje. Por unë jam i lindur dhe i rritur në Zvicër. Për mua të dy vendet janë shtëpia ime”, ka thënë Bajra.
Duke folur për aftësitë në boks, ai ka vazhduar: “Zjarri që djeg në zemrën time është kosovar, disiplina zvicerane”.
“Kështu që asgjë nuk mund të shkojë keq”, ka komentuar gazeta zvicerane. /Katror.info