Jeta Xharra është emër që lidhet me guximin, integritetin dhe të vërtetën. Si gazetare hulumtuese, ajo ka shpalosur të fshehtat më të errëta të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, duke e vendosur gjithmonë interesin publik në qendër të çdo raportimi. Si kryeredaktore e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), puna e saj ej më shumë se 25 vjeçare, nuk është vetëm një betejë mediatike, por edhe një përpjekje për të ndryshuar rrënjësisht perceptimin e shoqërisë për drejtësinë dhe transparencën.
Me vite të tëra përvojë si gazetare e angazhuar në çështje të ndjeshme dhe shpeshherë të rrezikshme, Jeta ka krijuar një trashëgimi të pasur në fushën e gazetarisë investigative. Emisioni i saj, Jeta në Kosovë, është një simbol i gazetarisë së lirë në vend, ku pyetjet e vështira bëhen dhe përgjigjet kërkohen me këmbëngulje.
Jeta ka trajtuar tema që prekin thelbin e demokracisë dhe drejtësisë, duke frymëzuar të rinjtë dhe të gjithë ata që besojnë në një Kosovë të drejtë dhe të lirë. E krejt këtë e ka arritur falë vullnetit dhe punës pa kushte edhe në kohëra të vështira.
“Unë jam prej atyre njerëzve që i takoj gjeneratës, ku jemi vetorganizu me kriju sistem paralel shkollor, sistem paralel shëndetësor. Njerëz pa pasur kurrgjë i kanë mbledhur ka 3% me i pagu mësuesit… Mua nënën ma kanë qitë prej pune në kohën e 90-ve, ka qenë t’u punu në Ent të Arsimit dhe njerëzit janë mbledhë megjithatë edhe i kanë organizu punën edhe kur i kanë qitë prej pune. Domethënë, e kam pa që me vetiniciativë, krejt popullata ka qenë aktivistë në atë kohë, krejt popullata është vetorganizu, edhe për atë sot e reflektoj atë që e kam mësu duke u rritë dhe që i kam pa njerëzit e tjerë, njerëz rreth vetit, edhe kur i kanë qitë prej pune.”
“Domethënë situata të ndryshme, të shtyen me bo gjana të ndryshme, e neve na ka shty mu solidarizu me njëri-tjetrin, edhe thjesht me shkrujtë edhe kur e kanë mshel Rilindjen, kur i kanë mshel gazetat e atëhershme njerëzit kanë fillu me organizu me shkrujtë në buletina të vegjël e primitiv, ato buletina për shembull i ka ruajt dikush, i kemi të ruajtme këtu”, thotë Jeta.
E për ta dokumentuar tërë këtë, ajo ka ndërmarrë nismën për themelimin e Reporting House në Prishtinë—një qendër e dedikuar gazetarisë hulumtuese, e cila jo vetëm që ndihmon në dokumentimin dhe rrëfimin e së vërtetës, por gjithashtu krijon një hapësirë për gazetarë nga mbarë rajoni që të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre. Përmes kësaj ajo po e shtrin aktivizmin e saj në shërbimin edukativ të gjeneratave të reja të cilët dinë pak për të kaluarën e Kosovës dhe që kanë pak material të dorës së parë rreth kësaj.
“Ideja për Shtëpinë e Gazetarëve apo Reporting House ka nisë prej bisedave që i kam me kolegë e mi, të cilët tash kanë lindë mbas lufte, shumë prej kolegëve që vijnë me punu me mua, e shoh që e kanë një kuriozitet të madh lidhur me atë çka ka ndodhë, po s’kanë shumë vende ku me mësu të vërtetën, po edhe disa xhirime specifike që i kemi bë gjatë luftës… Unë e kam fillu domethënë në 98-tën për herë të parë kam qenë në front të luftës duke e mbulu masakrën e Jasharëve me gazetarë të huaj, kryesisht të BBC-së edhe fillova me thjesht presionin shoqëror që është përgjegjësi e jemja, masi unë i njoh njerëzit që kanë xhiru 98- ën dhe 80% e materialit këtu është marrë prej gazetarëve të huaj që kanë xhiru prej 98-ës e disa edhe të 90-at, të Rilindjes që kam bo fotografi, po shumica e xhirimeve janë 98 e tutje.”
“E pashë që nëse unë nuk i i thërras ata njerëz që i njoh, ata nuk e bëjnë për hatër, tjetërkujt e bëjnë për hatër timin meqë më njohin mua edhe për shkak të rrjetit të krijuar ia caktova vetes detyrë me e bë sepse nuk është fer me kërku vetëm prej institucioneve e ti mos me bo kurrgjë, kur ti e di ku janë njerëzit. Kështu që ka qenë detyra e imja me e bo. Kështu që fillova me i thirr para se ata me i shkatërru për shembull xhirimet që i kishim e pashë që është momenti i fundit, “pesë minuta para 12”, me ia ripërtëri pak memorien krejt shokëve të mi, kolegëve të mi, me të cilët kisha punu, me shpresë që i ka mbetur ndonjë xhirim të kasetave…Shumë njerëz u kishin kërkuar materiale deri tash m’u deshtë m’i bind që kemi teknikë serioze që nuk ju prishen kaseta që do t’i ruajmë që e kemi seriozisht punën e arkivimit edhe në mënyrë të dinjitetshme, po ashtu edhe të paanshme e jopropaganduese do t’i prezantojmë punimet. Kjo është një përgjegjësi që kemi ndaj gjeneratave të ardhshme, gjenerata ime e gazetarëve duhet me bo diçka që lënë shenjë’’, shprehet Jeta Xharra për Katror Media.
Ajo tregon se si 19 vjeçare ka pasur fatin të punojë me gazetarët e huaj që mbulonin luftën në Kosovë.
“Është shumë e lehtë jeta sot, e shoh në krahasim me kushte të jashtëzakonshme, është kriju shkollë, është mbajtë spital, në kushte të jashtëzakonshme është bo gazetari, kur ke qenë vazhdimisht nën presionin e marrjes në pyetje, sa herë që ke shku në terren, je kthyer, të kanë kqyr shtrembët policët edhe të kanë thirrë me të marrë në pyetje çka ke bo në Drenicë, sepse krejt dita e punës shkojke në Drenicë. Për neve ato dy vjet 98-99, pra janë kalu qysh janë kalu këto sfida, te unë si 19 vjeçare kur fillova me punu e shihja gazetarin anglez që kishte lanë tre fëmijë në Angli, edhe hynte në front të luftës edhe u godit prej plumbit serb, për shembull, dita e parë e punës sime ishte kur e shihja një të huaj, çka po bon, përnjëmend që mua edhe sot nuk më duket kurrgjë sakrifica jonë krahasuar me njerëzit e të huaj, si Goran Tomasheviqi sot që na kallëzoi që shkon në Libi, në Sudan, në Afrikë, në Ukrainë edhe sakrifikon veten e merr naj plumb për me bo raportimin e drejtë. Domethënë, qikjo është forma, këta janë njerëz prej të cilëve unë kam mësu, duke mësu prej më të mirëve, jam mësu duke e pa BBC – në, sakrifica edhe elani i punës, disiplina…”, thotë Jeta.
Përmes Reporting House, Jeta ka sjellë në Kosovë emra të rëndësishëm të gazetarisë botërore, duke lidhur përvojën vendore me atë ndërkombëtare. Një ndër mysafirët e fundit të kësaj qendre ishte edhe fotogazetari serb, Goran Tomasevic i cili dokumentoi me objektivin e tij të vërtetën e luftës së Kosovës.
”Për mua është shumë e thjeshtë, unë shkoj në ngjarje, hap sytë e mi dhe xhiroj, duke identifikuar pamjet më të rëndësishme të cilat kanë një histori për t’u treguar. Nganjëherë disa njerëzve u pëlqen, disave jo, por unë bëjë më të mirën që mundem për të informuar çdo kënd përmes syve të një fotografi, pavarësisht se çfarë të tjerët shkruajnë dhe shohin, unë dua të reflektojnë në atë që e shohë me sytë e mi dhe pamjet që janë para meje”, u shpreh Tomaseviq.
Kjo ngjarje është një dëshmi e mëtejshme e angazhimit të Jeta Xharrës për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të shfaqur historinë në të gjithë dimensionin e saj, pa kufij dhe paragjykime.
“Roli i gazetarisë që kallxon të vërtetën aq sa është e mundur deri në fund sa të mundet me e marrë të vërtetën është shumë fisnik, shumë i nevojshëm në botën e sotme kur jemi pre të dezinformatave e propagandës rëndësia e një gazetari që nuk e lëshon topin është i vëmendshëm, është i kthjelltë edhe ka me u mundu me ma të mirën me gjet të vërtetën, ne ndoshta nuk mund, gjithmonë me thanë të vërtetën dikush na sheh çka po raportojmë dhe thotë unë e di një anë tjetër, siç thanë sot aty disa pjesëmarrës po, ti e ke bo ma të mirën, momentin aq sa ke mujt. Njëjtë është aplikimi që e marr sot, me rëndësi është mos mu bo vegël e kërkujt edhe me tentu me i marrë të gjitha anët e ngjarjes,” thekson Jeta.
Gazetaria hulumtuese është forma më e thelluar e gazetarisë, e cila synon të zbulojë të vërteta të fshehura, ndërsa sfidat e saj ndryshojnë varësisht epokave në të cilën punohet. Në kohën e sotme Jeta e sheh një sfidë të re në këtë fushë, për të cilën thotë se gazetaria hulumtuese është cak i sulmeve, veçanërisht ndaj vajzave të reja që ekspozojnë dhunën.
”Gazetarët që punojnë sot, për shembull, sidomos çikat që po e ekspozojnë dhunën ndaj grave janë më të ekspozuara online edhe ndaj tyre, për shembull shpërndahet numri i tyre personal, fotografia e tyre, e kanë një sfidë që ne s’e kemi pasur. E ajo sfidë nuk është më e vogël se fronti i luftës. Domethënë, tentojnë ata, për të cilët këto gazetarët e reja i ekspozojnë, tentojnë me ua marrë atyre, në një luftë virtuale që janë t’u e zhvillu kundër gazetarëve që kjo kryesisht unë e shoh që sfida është ndaj grave të reja, sidomos çikave të reja sepse janë target i një rrjeti të hatashëm dhe tmerrshëm të burrave agresivë online të cilët po fshihen mbrapa anonimitetit, sepse s’po ju pëlqen gazetaria që ato e zhvillojnë, e shoh këtë goxha problematike e të rëndë, diçka që nuk m’u ka dashtë me e përballu si vajzë e re kur kam fillu punën, sfidat kanë qenë tjera”, vlerëson ajo.
Veç kësaj, Jeta Xharra po hap dyer bashkëpunimi mes mediave dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe po i bashkon institucionet kosovare në të mirën e përgjithshme të komuniteti tonë. Rast konkret për këtë ishte edhe hapja e kësaj shtëpie të gazetarëve.
”Ana tjetër është jo veç me bashkëpunu me media ndërkombëtare, me bashkëpunu për herë të parë shumë afër kam bashkëpunu me institucionet e Kosovës. Me është dashtë ndihma e Komunës së Prishtinës, më është dashur ndihma e Ministrisë së Kulturës me i bind me më dhanë hapësirën edhe me më ndihmu që mos me pengu hapësirën për ku kemi me i ekspozu këto materiale. Në anën tjetër, edhe ata kanë mujt mos me besu që unë i sjell gjithë këtë arkiv edhe ata na kanë besu për profesionalizmin tonë. Kështu që duhet me e respektu edhe faktin që këtë vend nuk e kanë bo vetëm domethënë kontributi i mediave ndërkombëtare edhe gazetareve si Gorani që ke sot po e kanë ndihmu shumë autoritetet lokale të Kosovës.”
“Unë për herë të parë mundem me thonë pas 25 vjetëve, kështu haptas gjithkush m’i ka çelë dyert çdo parti…me dashtë me më blloku, secili ka mundur me blloku e me thanë jo se kjo s’po më konvenon mua ose diçka. Unë e kam pa qysh kur është kauza fisnike edhe e bindshme të gjitha këto parti që kanë pushtet në forma të ndryshme, dikush është ose edhe e udhëheq një ndërmarrje publike, ose e udhëheq ndonjë drejtori ose udhëheq ndonjë ministri. Të gjithë pa pardon i kanë çelë dyert me më ndihmu, që ekspozita për arsye edukative me qenë sot në dispozicion, edhe të huajve, edhe të lokalëve në Kosovë” thotë Jeta.
Jeta Xharra filloi punën në gazetari në 1998 kur u punësua si përkthyese e më vonë u bë producente lokale për BBC News dhe Channel 4. Ajo ishte bashkëprodhuese e xhirimit të vetëm që e bëri BBC-ja të betejës së Jasharëve me 5 mars 1998. Në vitin 1999 Xharra punoi për BBC News në Shqipëri dhe Maqedoni. Në vitin 2012, South East Europe Media Organization (SEEMO) ia dhuroi Xharrës çmimin Dr. Busek si nder ndaj promovimit të mirëkuptimit në rajonin e Europës Juglindore dhe punës së saj drejt zgjidhjes së problemeve në lidhje me minoritete në Kosovë. /Katror.info
Edicionin #63 të plotë e gjeni KËTU 🙂