Shoqata e Botuesve të Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë gati për edicionin e radhës së Panairit të Librit në Prishtinë, dhe se në këtë vit do të prezantohen rreth 100 shtëpi botuese me rreth 2 mijë botues, shkruan KultPlus.
Poashtu është bërë e ditur se në këtë vit do të shënohet 100 vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100 vjetori i vdekjes së Franz Kafkës, sikurse që do të bëhet botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosës.
“Me moton “Përgjigjja është libri” vjen edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00″, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës./Katror.info