Parku Arkeologjik i Apolonisë deri më tani ka mirëpritur rreth 110 mijë vizitorë.
Shifra u bë publike nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Interesi për këtë sit arkeologjik dhe pjesë nga më të rëndësishmet e trashëgimisë sonë kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje. Çdo ditë janë me qindra vizitorët vendas dhe të kombësive të ndryshme që shijojnë ato çka ofron ky park arkeologjik. Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj.
Muzeu është i vendosur në një manastir mesjetar të fundshekullit XII, i cili në vetvete është një kompleks muzeal mes objekteve e monumenteve.
MAA përbën një nga arteriet më të rëndësishme të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë jo vetëm për vizitorët, por edhe për studiuesit e arkeologjisë.
Ky muze u hap për herë të parë në vitin 1957. Objektet e tij, rreth 1000 objekte origjinale, janë të ekspozuara kronologjikisht. Ato janë ndër më përfaqësueset, sipas tipologjive dhe tregojnë historinë e Apolonisë nga prehistoria deri në rënien e qytetit dhe braktisjen e tij./RTSH/Katror.info









