Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) shpalli të premten tenderin për fazën I të projektit “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”, shkruan Katror.info.
Ky projekt ka për qëllim rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe përmirësimin mjedisor të njësisë A3, e cila aktualisht prodhon një pjesë të madhe të energjisë elektrike në vend.
Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, theksoi se investimi do të dyfishojë prodhimin vjetor të energjisë dhe do të shtojë furnizimin me energji. Ai njoftoi se pas rehabilitimit, kapaciteti i njësisë A3 do të arrijë 215 megavat, nga 100-140 megavat sa prodhon tani. Kurti e cilësoi këtë projekt si investimin më të madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve katër dekada më parë, me një vlerë prej mbi 137 milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënvizoi se, ndonëse vitet e ardhshme mund të jenë sfiduese për shkak të periudhave kur termocentralet do të jenë jashtë funksionit, procesi i rehabilitimit do të sjellë rezultate pozitive. Po ashtu, KEK beson se ky investim do të kontribuojë në një furnizim më të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji./Katror.info
Përgatiti:
