Kosova, që prej përfundimit të luftës, ka kaluar një rrugë të gjatë të mbushur me sfida politike, sociale dhe ekonomike. Për mbi dy dekada, vendi shpesh është gjendur para krizave të brendshme, tensioneve të jashtme dhe realitetit të rënduar të tranzicionit. Diskursi publik dhe mediat mainstream kryesisht janë fokusuar në lajmet e këqija – në kronikat e zeza, konfliktet, dështimet dhe problemet e përditshme.
Në krejt këtë rrëmujë informacioni, lajmet e mira dhe storiet frymëzuese kanë qenë pothuajse të padukshme, të neglizhuara e të lëna në hije.
Në këtë kontekst, ne si ekip i Katror, e pamë të domosdoshme që qytetarët e Kosovës ta kishin një hapësirë të veçantë ku pozitiviteti, shpresa dhe konstruktiviteti të ishin në qendër. Një vend ku përveç problemeve, shoqëria të mund të pasqyrohej edhe për sukseset, solidaritetin dhe nismat e saj të mira. Pikërisht nga kjo nevojë, më 20 shtator 2022, themeluam Katrorin – platformën e parë në Kosovë e fokusuar ekskluzivisht në lajme të mira.
Që nga dita e parë, Katrori u pozicionua ndryshe: nuk pranoi të bëjë kompromis me konstruktivitetin dhe nuk negocoi me parimet e veta. Tri vite pas, ka mbetur besnik ndaj këtij misioni, duke u bë një zë i rëndësishëm për kauzat shoqërore, nismat komunitare, aktivizmin qytetar, mbrojtjen e ambientit, energjinë e ripërtëritshme dhe të drejtat e konsumatorëve.
Katrori nuk është vetëm një platformë lajmesh, është një hapësirë e menduar për të promovuar një kulturë tjetër të komunikimi publik, atë të ndërtimit, bashkëpunimit, shpresës dhe solidaritetit.
Edhe pse ka vepruar në një mjedis ku kohët e fundit kanë dominuar lajmet e këqija – si në nivel vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar – Katrori ka arritur ta ruajë autenticitetin e tij. Përmes qasjes së veçantë, ka sjellë përditë histori që frymëzojnë, tregime që nxisin reflektim pozitiv dhe shembuj që motivojnë.
Sot, katror.info, si pjesë e Katror Media and Publicity, është shndërruar në sinonim të gazetarisë konstruktive në Kosovë, me një ekip të përkushtuar gazetarësh, profesionistësh të produksionit dhe rrjeteve sociale, që punojnë çdo ditë për t’ia ofruar publikut anën tjetër të realitetit tonë, atë që shpesh mbetet e padukshme.
Në këtë përvjetor, Katrori jo vetëm që feston tri vite pune, por edhe forcon zotimin për të ardhmen, të vazhdojë të sjellë veç lajme të mira, t’i zbulojë storiet më të fshehura të komuniteteve, t’i ofrojë hapësirë aktivizmin qytetar dhe të tregojë se Kosova ka shumë arsye për të besuar në progresin e saj.
Gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Gjithmonë në të mirë të Kosovës.
Gëzuar 3-vjetorin, Katror, lajmet e mira vazhdojnë!