Një ekspozitë me vepra të mjeshtrit Van Gogh po mbahet në Romë, Itali.
Në Pallatin Bonaparte, në godinën e shekullit të 18, në Romë, po ekspozohen 50 vepra të piktorit të famshëm Vincent Van Gogh. Pikturat janë dhënë hua nga muzeu Kröller-Müller i Otterlo në Holandë, muze ky që zotëron koleksionin e dytë më të madh të artistit holandez, shkruan EuroNews Albania.
Nga 8 tetori deri më 26 mars, në hapësirën mbresëlënëse të Palazzo Bonaparte, veprat e ikonës së artit, Van Gogh do ta bëjnë vendin e tyre të rrethuara nga afreske mbresëlënëse dhe statuja mermeri.
“Përmes veprave të zgjedhura nga muzeu holandez ne përpiqemi ta tregojmë historinë e Van Gogh në tërësinë e saj, duke nisur nga vepra e tij e parë në vitin 1881, kur ai vendosi të bëhej piktor, kur e kuptoi se ky ishte rrugëtimi i tij dhe kur nisi të punonte”, tha Francesca Villanti, kuratore e ekspozitës.
- Advertisement -
Ekspozita, e projektuar në rend kronologjik, i referohet periudhave dhe vendeve ku piktori jetoi dhe përjetoi fazat e ndryshme të karrierës së tij artistike, nga Holanda në Paris, në qytetet Arl, Sën Remi dhe Over syr Uaz, ku edhe i dha fund jetës së tij të mundimshme.
Arthemisia, agjencia organizuese italiane, raportoi se deri tani ka regjistruar më shumë se 70.000 kërkesa për rezervime./Katror.info