Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se 809 qytetarë janë punësuar deri më tani në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, falë masës së qeverisë për mbështetjen e punësimit në këto zona, shkruan Katror.info.
Kjo masë, e njohur si “Qeveria për Familjet”, synon të përmirësojë gjendjen ekonomike të familjeve përmes krijimit të vendeve të punës, duke subvencionuar deri në 70% të pagës bruto për gjashtë muaj radhazi për punëdhënësit që punësojnë qytetarë nga këto komuna.
Sipas njoftimit zyrtar, mbi 1,000 vende të lira pune janë aktualisht të hapura dhe në pritje të aplikuesve të regjistruar në Zyrat e Punësimit.
Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë në këto komuna të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të regjistrohen sa më parë në zyrat përkatëse. Kjo iniciativë synon të fuqizojë ekonominë lokale dhe të mbështesë mirëqenien e qytetarëve në zonat veriore të vendit./Katror.info