Federata e Futbollit të Kosovës, njofton se në prag të ndeshjes së javës së 17-të në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës, ndërmjet Vjosës dhe Ulpianës, është bërë inaugurimi i fushës me bari artificial në stadiumin e qytetit në Shtime.
Në një ceremoni të veçantë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Shtimes, Albana Fazliu dhe përfaqësuesit e KF ‘Vjosa’, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fushës, duke shënuar kësisoj një kapitulli të ri për futbollin e këtij qyteti.
Sipas njoftimit, rindërtimi i fushës me bari artificial në stadiumin e Shtimes është rezultat i investimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me komunën. Ky investim ka sjellë një ndryshim thelbësor në këtë stadium, duke i dhënë mundësi skuadrës së Vjosës, por edhe talenteve të futbollit në Shtime, që të kenë kushte shumë më të mira për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
“Inaugurimi i kësaj fushë të re me bari artificial është një hap shumë i rëndësishëm për futbollin në Shtime. Bashkë me komunën do të punojmë për ndërtimin edhe të fushës stërvitore, pasi Investimi në infrastrukturë është jetik për zhvillimin e futbollit tonë dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë talentet, në çdo qytet dhe fshat të vendit tonë”, ka thënë Ademi.
Ndërsa bëhet e ditur se shumë shpejtë pritet të përfundojnë punimet edhe në fushën e KF Kika në Hogosht, si dhe në fushën e KF 2 Korrikut në kryeqytet.
Tutje thuhet se investimi në këtë stadium është pjesë e përmbushjes së Memorandumeve të Bashkëpunimit me autoritetet e nivelit lokal dhe qendror, të cilat synojnë të përmirësojnë kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e futbollit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /Katror.info
Përgatiti:
