Aktivistët shqiptarë Olsi Nika dhe Besjana Guri janë shpërblyer me çmimin më të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit në botë, “Goldman Prize”, i njohur ndryshe edhe si “Nobeli i Mjedisit”.
Sipas njoftimit për media, në ceremoninë e organizuar këtë të martë në nder të tyre, në Opera House të San Franciskos, aktivistët nga Shqipëria, Besjana Guri dhe Olsi Nika, nga organizata Eco Albania tërhoqën çmimin ‘’Goldman’’, të njohur si Nobeli i Mjedisit.
“Ata morën vlerësimin më të lartë që jepet në botë për aktivistët lokalë të mjedisit, për betejën e tyre mbi 10 vjeçare në mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve. Falë tyre, qeveria shqiptare e shpalli Vjosën si Park Kombëtar të një Lumi të Egër, në mars të vitit 2023”, thuhet në njoftim.
Ceremonia në San Francisko është një ngjarje prestigjioze që mbledh mbi 3000 aktivistë mjedisorë, liderë të komunitetit, filantropë dhe figura publike nga e gjithë bota, në javën e tokës. Përballë tyre Besjana theksoi nevojën për t´i ofruar botës shpresë edhe me hapat e vegjël që ndërmarrim.
‘’Suksesi ynë në mbrojtjen e lumit Vjosa është fitorja e parë madhore mjedisore e Shqipërisë dhe tregon se ndryshimi është i mundur, edhe në një botë ku shpesh duket sikur zëri yt nuk dëgjohet. Ky çmim është një kujtesë se kur njerëzit bashkohen, mund ta bëjnë të pamundurën, të mundur’’ – u shpreh Besjana.
Ndërsa Olsi bëri thirrje që nën shembullin e Vjosës, të ndërmerren më shumë nisma për mbrojtjen e lumenjve në botë.
‘’Lumenjtë e egër po zhduken me një ritëm alarmant, pasi gjithnjë e më shumë bllokohen, devijohen ose ndoten. Në këtë kontekst, historia e Vjosës është një model shprese – veçanërisht sepse ndodhi në një vend ku për dekada të tëra çështjet mjedisore nuk kishin asnjë shans. E pranoj këtë çmim me zotimin për të vazhduar punën për mbrojtjen e lumenjve tanë dhe për t’u siguruar që historia e Vjosës të mos përfundojë këtu’’ – tha Olsi Nika.
Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman.
Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.
“Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme”, thuhet në njoftim. /Katror.info
Përgatiti:
