Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kreu i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Albin Kurti, me ftesë për një takim që do të mbahet para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila zhvillohet sot në orën 10:00.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi rëndësinë e zhbllokimit institucional dhe të rikthimit të funksionimit të rregullt të Kuvendit, duke theksuar se kjo është thelbësore për hapjen e rrugës drejt afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re.
“Do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim. Inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja,” thuhet në deklaratë.
Ai theksoi gjithashtu se gjetja e një kandidati ose kandidateje që gëzon përkrahjen e shumicës së deputetëve do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së krizës. Në lidhje me çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, kreu i PDK-së ishte i prerë se kjo është një e drejtë kushtetuese e garantuar dhe nuk do të jetë temë diskutimi.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas tij, do të vazhdojë të sillet me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.
Qëndrimet e detajuara të PDK-së do të bëhen publike sot, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media./Katror.info