Në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, zjarrfikësit e Kosovës u kanë mundësuar qytetarëve të kryeqytetit që të shohin nga afër pajisjet e tyre, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në këtë ditë të tyre, ata shprehën edhe kërkesa për mbështetje më të madhe institucionale.
Drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi, tha se kjo ditë nuk është festë, por ditë për t’u përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën gjatë punës së tyre.
Gashi tha se investimi në këtë shërbim ka të bëjë me ruajtjen e jetës së njerëzve e jo investim individual.
Ndërsa, një zjarrfikës, Behar Shala, shtoi se ata kanë shumë sfida përpara, prandaj kanë nevojë për mbështetje.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, u shpreh se komuna ka investuar në ta, duke sjellur fizioterapistë dhe nutricistë, duke u mundësuar shujta ditore dhe duke porositur pajisje të reja për ta.
Rama kërkon që niveli qendror të punësojë dhe 44 zjarrfikës të rinj pasi që ka nevojë për ta.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë qytetarët mund të shohin pajisjet e shumta të tyre dhe të pyesin rreth punës së tyre./KP