Ndryshimet klimatike nuk janë më një problem që ndodh diku larg, në shtete të mëdha apo kontinente të largëta. Ato janë këtu, në Kosovë, në fshatrat dhe qytetet tona, në ajrin që thithim dhe ujin që pimë.
Po e ndiejmë gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre në jetën e përditshme: verat janë më të nxehta dhe më të thata, reshjet janë më të rralla por më të rrëmbyeshme, dhe moti është më i paparashikueshëm. Këto ndryshime nuk janë të rastësishme, ato janë rezultat i ndotjes së mjedisit dhe përdorimit të tepruar të burimeve natyrore.
Në Kosovë, ndikimet janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Bujqësia, burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje në zonat rurale po përballet me thatësira të shpeshta dhe ulje të prodhimtarisë. Kushtet e vështira në fshatra, si mungesa e ujit, të korrat e dobëta dhe mungesa e mundësive për punë po i shtyjnë njerëzit të shpërngulen drejt qyteteve ose të largohen fare nga vendi.
Kjo po ndodh veçanërisht te të rinjtë që kërkojnë jetë më të mirë dhe më të sigurt për veten dhe familjet e tyre. Lumenjtë po shterojnë, duke e vendosur Kosovën në kategorinë e vendeve me stres ujor, me vetëm 1600 m³ ujë për banor në vit. Pyjet po dëmtohen si pasojë e zjarreve dhe prerjeve të paligjshme, ku vetem gjatë vitit 2024 janë regjistruar 94 zjarre që kanë shkatërruar 12,079 hektarë pyje dhe shkurre.
Ndotja e ajrit, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, paraqet një rrezik serioz për shëndetin publik. Fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të prekshëm, duke përfshirë ata që vuajnë nga astma, sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotjes rrit ndjeshëm rrezikun për përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe vdekje të parakohshme. Gjatë vitit 2024, niveli mesatar vjetor i grimcave të imëta PM2.5 në Kosovë arriti në 13 µg/m³, duke e tejkaluar 2.6 herë kufirin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 5 µg/m³.
Ndërkohë, peizazhi natyror i vendit po humbet gjithnjë e më shumë. Pyjet, lumenjtë dhe natyra përreth po degradohen çdo ditë, duke rrezikuar zhdukjen e shumë llojeve të bimëve dhe kafshëve që dikur ishin pjesë e biodiversitetit të pasur të Kosovës.
Megjithatë, përballë këtyre sfidave, ka gjithmonë hapësirë për zgjidhje. Çdo qytetar dhe çdo institucion mund të japë kontributin e vet. Veprime të vogla, por të vazhdueshme, mund të sjellin ndryshime të mëdha. Të mbjellim pemë në oborre e shkolla; të kursejmë energjinë sa më shumë që mundemi, duke filluar nga fikja e pajisjeve elektrike të ndezura kot; të mos djegim mbeturina apo goma, sepse kjo ndot ajrin që thithim. Po ashtu, është e rëndësishme të mësojmë fëmijët tanë për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, që ata të rriten me ndjenjën e kujdesit për natyrën.
Kërkohet edhe një angazhim më i madh nga institucionet publike, që të hartojnë dhe zbatojnë politika të qarta për mbrojtjen e mjedisit. Komunat mund të ndihmojnë duke ofruar mbështetje për energji të ripërtëritshme si panelet diellore, të përmirësojnë transportin publik, të ndalojnë prerjet ilegale të pyjeve dhe të fuqizojnë bashkëpunimin me komunitetet lokale.
Koha për të vepruar është tani. Nuk mund të presim më. Çdo ditë që kalon pa veprim, është një ditë që e afron më shumë dëmin për natyrën dhe për jetën tonë. Ndryshimet klimatike janë një sfidë e madhe, por edhe një mundësi që të bashkohemi si shoqëri dhe të tregojmë se e duam vendin tonë dhe gjeneratat që do të vijnë.
Nëse duam një Kosovë me ajër të pastër, ujë të pijshëm, natyrë të mbrojtur dhe komunitete të shëndetshme, duhet të fillojmë sot – në shtëpinë tonë, në lagjen tonë, në shkollën tonë dhe në vendin tonë të punës.
Fuqia për të vepruar është këtu. Le ta përdorim.
EcoZ, është Organizatë Jo-Qeveritare e cila avokon për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë
Përgatiti:
