Kuarteti Harkor i Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me sopranon e njohur Adelina Paloja, do të përfaqësojë denjësisht kulturën muzikore kosovare në panairin ndërkombëtar EXPO2025, shkruan Katror.info.
Koncerti do të mbahet më 11 qershor, duke filluar nga ora 16:30, në ambientet e ‘National Day Hall’, në kuadër të Ditës së Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme globale.
Koncerti mban titullin “Kosova në tinguj” dhe do të ofrojë një repertor të pasur me vepra nga kompozitorë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Publiku në Japoni do të ketë rastin të dëgjojë këngë të orkestruara nga Valton Beqiri dhe Edon Ramadani, si dhe kohën e parë të kuartetit harkor nr.1 të kompozitorit Valton Beqiri – një ndër figurat më të njohura të muzikës klasike në vend.
Pjesëmarrja e Filharmonisë së Kosovës në EXPO2025 përfaqëson një moment të rëndësishëm për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë muzikore shqiptare dhe krijimtarisë artistike bashkëkohore të Kosovës./Katror.info