Kampionati Botëror për Senior, një nga ngjarjet më të mëdha të vitit në sportin e xhudos, nis më 13 qershor në Budapest të Hungarisë dhe do të zgjasë deri më 20 qershor. Në këtë arenë prestigjioze do të garojnë 557 xhudistë nga 93 shtete të gjashtë kontinenteve, duke e kthyer kryeqytetin hungarez në epiqendrën botërore të këtij sporti, shkruan Katror.info.
Kosova, vendi i njohur për medaljet olimpike dhe sukseset ndërkombëtare në xhudo, do të përfaqësohet me tre prej sportistëve më të mirë që ka: Distria Krasniqi në kategorinë -52 kg, Laura Fazliu në -63 kg dhe Akil Gjakova në -73 kg. Distria do të ngjitet në tatami të shtunën, Akili të dielën, ndërsa Laura do të garojë të hënën.
Delegacioni kosovar është nën udhëheqjen e kryemjeshtrit Driton Kuka dhe trajnerëve Fatos Tabaku e Majlinda Kelmendi, kampiones olimpike që tashmë është e përkushtuar në ndërtimin e kampionëve të rinj.
Ndeshjet mund të ndiqen drejtpërdrejt çdo ditë përmes një transmetimi online, ku tifozët do të kenë mundësinë të shohin nga afër garat e elitës botërore dhe të përkrahin me krenari përfaqësuesit e Kosovës./Katror.info