Regjisori i “Squid Game”, Hwang Dong-hyuk, ka treguar arsyen pse sezoni i dytë i serialit të famshëm u nda në dy pjesë – një vendim që ka ngjallur shumë diskutime mes fansave.
Pas suksesit global që arriti në vitin 2021, seria u rikthye në dhjetor të vitit 2024 me pjesën e parë të sezonit të dytë, ndërsa pjesa e dytë – që llogaritet si sezoni i tretë – publikohet më 27 qershor 2025.
Në një intervistë të fundit, regjisori tha se ndarja nuk ishte e planifikuar fillimisht. Ai kishte shkruar rreth 13 episode, të cilat i dukeshin shumë për një sezon të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh tendencat aktuale të shikueshmërisë.
“Vendosa ta ndaj, dhe fundi i episodit të shtatë – kur Seong Gi-hun bie në pikën më të ulët – më dukej si momenti ideal për ta bërë këtë ndarje,” shpjegoi ai.
Sa i përket të ardhmes së serialit, Hwang tha se nuk ka plane për një sezon të katërt. “Kur ta shihni sezonin e tretë, do ta kuptoni pse historia duhet të përfundojë këtu,” tha ai.
Megjithatë, nuk përjashtoi projekte të tjera në vazhdim: “Kam disa ide… ndoshta për një spin-off”./Katror.info