Komuna e Gjilanit ka nisur fazën e parë të dezinsektimit hapësinor, e cila do të zgjasë për një javë dhe do të përfshijë të gjitha zonat e qytetit. Procesi i spërkatjes do të realizohet çdo ditë nga ora 19:30 deri në orën 01:00 pas mesnate.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka njoftuar se ky aksion synon parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së insekteve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve gjatë kësaj periudhe.
“Sugjerojmë që qytetarët të mbajnë dritaret e mbyllura gjatë orëve të dezinsektimit për të parandaluar futjen e insekteve në shtëpi,” ka deklaruar Hyseni.
Njëkohësisht, ai ka bërë thirrje për kujdes edhe nga ana e bletarëve: “Për arsye sigurie, bletarët luten që t’i mbajnë bletët e mbyllura nga ora 19:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit.”
Kryetari Hyseni ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se kjo nismë është në funksion të shëndetit publik dhe mirëqenies së përbashkët./Katror.info