E përditësuar: As pas përpjekjes së 33-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të përfundojnë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Seanca e radhës, e drejtuar nga deputeti Avni Dehari, vijoi me pikën e rendit të ditës që synonte formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Megjithatë, për të 33-tën herë radhazi, themelimi i këtij komisioni ka dështuar. Përfaqësuesit e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk propozuan anëtarë për komisionin dhe as nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Kjo mungesë ka pamundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm për marrjen e vendimeve, duke lënë Kuvendin në një ngërç të vazhdueshëm.
Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin e Komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim. Seanca e radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00.
Procesi ka ngecur që prej 15 prillit për shkak të mospajtimeve politike. Kandidatura e Albulena Haxhiut nga Vetëvendosje nuk ka marrë ende mbështetjen e nevojshme prej 61 votash, përkundër disa tentativave, raporton Katror.info.
Propozimi për votim të fshehtë është kundërshtuar vazhdimisht nga partitë opozitare.
Në mungesë të konsensusit, Presidentja Vjosa Osmani pritet të kërkojë mendim nga Gjykata Kushtetuese për të sqaruar rrugët ligjore për të tejkaluar bllokadën.
Ndërkohë, partitë mbeten të ndara dhe Kuvendi ende nuk është funksional, mbi katër muaj pas zgjedhjeve./Katror.info