Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se kjo javë do të karakterizohet nga temperatura të larta, si pasojë e një mase ajrore të nxehtë që po zhvendoset nga Afrika Veriore drejt gadishullit Ballkanik.
Sot, më 22 korrik, parashihet mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Vende-vende do të ketë riga lokale shiu me rrufe, kryesisht gjatë orëve të pasdites.
- Temperaturat minimale: 14 – 17°C
- Temperaturat maksimale: 32 – 36°C
- Era: nga veriperëndimi, me shpejtësi 1–3 m/s
Sipas IHMK-së, kjo valë e të nxehtit është rezultat i një presioni të lartë atmosferik mbi Mesdheun qendror dhe jugor, i cili po nxit rrjedhën e ajrit subtropikal nga shkretëtira e Saharasë drejt veriut. Ky fenomen është i zakonshëm për verën dhe shpesh ndikon në rritjen ekstreme të temperaturave dhe mungesën e reshjeve.
Për shkak të indeksit të lartë UV, qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin direkt në diell nga ora 09:00 deri në 17:00, veçanërisht moshat e shtyera, fëmijët, dhe personat me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga pasojat e valës së të nxehtit.
Gjithashtu, për shkak të thatësisë së ajrit dhe mungesës së reshjeve të qëndrueshme, ekziston rrezik i shtuar për zjarre në zona pyjore dhe bujqësore./Katror.info