Gjiganti amerikan i teknologjisë, Meta, njoftoi të premten se do të ndalojë reklamat politike në platformat e saj, përfshirë Facebook dhe Instagram, në gjithë Bashkimin Evropian duke filluar nga tetori 2025, për shkak të rregullave të reja që kompania i cilëson si “jopraktike”, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
“Ky është një vendim i vështirë,” tha Meta në një deklaratë, duke theksuar se ndalimi përfshin reklamat politike, zgjedhore dhe të çështjeve sociale. Kompania e Mark Zuckerberg shprehet se rregullorja evropiane për Transparencën dhe Synimin e Reklamimit Politik (TTPA) sjell “sfida të rëndësishme operacionale” dhe “pasiguri ligjore” që e bëjnë të pamundur zbatimin.
Ligji i ri i BE-së, i miratuar në vitin 2024 dhe që hyn plotësisht në fuqi në tetor 2025, synon të rrisë transparencën në reklamat politike dhe të mbrojë proceset zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja. Ai kërkon që platformat të tregojnë qartë se cilat janë reklama politike, kush qëndron pas tyre dhe si janë synuar përdoruesit. Ndalohet gjithashtu profilizimi i votuesve bazuar në të dhëna personale si etnia, feja apo orientimi seksual, dhe ndalohet përdorimi i të dhënave të të miturve, transmeton albinfo.ch.
Meta kujtoi se nuk është kompania e parë që ndalon reklamat politike në BE. Google e bëri këtë në fund të vitit 2024.
Në deklaratën e saj, Meta shton se vendimi është i kufizuar vetëm për BE-në dhe nuk prek praktikat në vendet e tjera. “Vazhdojmë të besojmë se reklamat politike online janë një element thelbësor i politikës moderne,” thuhet më tej.
Rregullorja TTPA u hartua si reagim ndaj skandalit të vitit 2018 me kompaninë britanike Cambridge Analytica, që përvetësoi të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook-ut për fushata politike, përfshirë zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe referendumin për Brexit, transmeton albinfo.ch.