Universiteti i Prishtinës (UP) ka shpallur konkurs plotësues për studimet e doktoratës në vitin akademik 2025/’26.
Në konkursin plotësues të shpallur të hënën, janë të lira edhe 22 pozita për studentë doktorate në pesë programe studimore të katër njësive akademike: Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore.
Të drejtë konkurrimi dhe regjistrimi për këto studime doktorate kanë kandidatët që në dy nivelet e mëparshme të studimeve: bachelor dhe master e kanë notën mesatare më të lartë se tetë, njofton UP.
Konkursi është i hapur nga data 28 korrik e deri më 1 shtator 2025. Detajet e konkursit dhe dokumentet e nevojshme për aplikim, mund t’i gjeni të shpjeguara këtu.
Universiteti i Prishtinës thekson se është “më i vjetri, më i madhi dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet e hapësirave gjeografike ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë, është i vetmi universitet në vendin tonë i akredituar për studime doktorate”./Katror.info