Kryeqyteti i Kosovës po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe mbrojtjes së mjedisit, me një investim prej 9 milionë eurosh për trajtimin e ujërave të ndotura.
Në një takim të zhvilluar sot mes përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës, bankës zhvillimore gjermane KfW, dhe institucioneve zbatuese, u finalizuan marrëveshjet për fillimin e këtij projekti të rëndësishëm, njofton kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama.
Rama njoftoi se investimi do të shpërndahet në tri këste vjetore, ndërsa punimet do të koordinohen ngushtë me projektet ekzistuese të infrastrukturës urbane, veçanërisht në zonën e sheshit “Xhorxh Bush”, për të shmangur pengesat dhe për të siguruar një zbatim sa më efikas.
Sipas Rames ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe mbrojtjes së mjedisit në Kryeqytet./RTK/Katror.info.