Inxhinierët kanë zhvilluar një sistem robotik që synon të ndihmojë njerëzit me aftësi të kufizuara në lëvizje të cilët kanë vështirësi në kryerjen e detyrave rutinë, të tilla si prerja dhe grirja e perimeve. Sistemi ka një krah të pajisur me një kapëse adaptive që mund të trajtojë objekte të të gjitha madhësive dhe teksturave me saktësi dhe kujdes. Teknologjia është ideale për trajtimin e produkteve të brishta, produkteve të pjekura ose artikujve të tjerë të ndjeshëm ushqimorë. “Filozofia jonë është që nëse do t’i ofroni dikujt një robot që mund ta ndihmojë, ai duhet të ketë një lidhje me mënyrën se si një person kryen të njëjtën detyrë”-tha Dylan Losey, profesor i asociuar i inxhinierisë mekanike, percjell TAR.
“Kjo i bën veprimet e robotit më shumë një zgjatim të lëvizjeve natyrore të një personi. Nuk mjafton vetëm të ndërtohen sisteme robotike funksionale; sistemet duhet të jenë miqësore për përdoruesit dhe intuitive.” Sipas raportit, ekipi kohët e fundit e programoi robotin për të marrë komanda nga një levë kontrolli. Hulumtuesit përdorën gjithashtu Inteligjencën Artificiale (IA), e cila e ndihmoi robotin të interpretonte komandat për të deshifruar atë që po përpiqej të bënte njeriu.
Pas kësaj, ai përdori të dhëna për të ndihmuar në përfundimin e detyrës. “Në planin afatgjatë, do të na pëlqente të krijonim robotë që mund të kapnin çdo lloj objekti”-tha Losey. “Ato mund të jenë të buta, të ngurta, të mëdha, të vogla ose të bëra nga lloje të ndryshme teksturash. Nëse jeni dikush që ka nevojë për një robot për t’ju ndihmuar në detyrat tuaja të përditshme, do të ishte mirë nëse ai robot mund t’ju ndihmonte të përgatisnit drekën ose atë që dëshironi.”
Ndërkaq, një ekip studiuesish japonezë ka zhvilluar një krah robotik që fuqizohet duke përdorur indet e muskujve të njeriut dhe përfundimisht mund të aplikohet në teknologjinë e bërjes së duarve protetike. Dora biohibride ka pesë gishta që lëvizin individualisht dhe mund të kryejnë lëvizje komplekse të gishtërinjve, të tilla si kapja dhe lëvizja e objekteve të vogla duke i mbajtur ato nga maja, raportuan studiuesit nga Universiteti i Tokios dhe Waseda. /Katror.info