Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se kompania rajonale e ujësjellësit KRU Mitrovica ka nënshkruar marrëveshje shërbimi me katër komunat në veri të vendit: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut.
“Me të nisur viti 2025, kompania KRU Mitrovica ka nënshkruar marrëveshje shërbimi me këto katër komuna. Aktualisht janë shpallur konkurse për 121 vende pune në kuadër të kësaj zgjerimi,” deklaroi Kurti, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë institucional dhe shtrirjes së shërbimeve publike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërmarrja publike ka ndjekur praktikat më të mira për sistematizimin e vendeve të punës, duke ndryshuar rregulloren për strukturën organizative.
“Bazuar në këtë rregullore të re, janë krijuar 121 vende të reja pune në katër komunat veriore. Konkursi për 68 pozita është i hapur deri më 8 gusht, ndërsa për 53 pozitat e mbetura afati për aplikim përfundon më 19 gusht,” tha Rizvanolli.
Ky veprim paraqet një hap konkret në drejtim të zgjerimit të funksionimit institucional dhe ofrimit të shërbimeve esenciale për të gjithë qytetarët në veri të Kosovës./Katror.info