Në kuadër të aktiviteteve kulturore verore, Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK), në bashkëpunim me OJQ-në “Lidhja Krijuese e Mërgatës”, do të organizojë më 5 gusht ngjarjen kulturore “Takimet e mërgatës në atdhe – Ditët e Verës”.
Në fokus të këtij organizimi do të jetë promovimi i librave nga autorët shqiptarë të mërgatës, të cilët do të prezantojnë krijimtarinë e tyre letrare para lexuesve vendorë.
Ngjarja do të zhvillohet në Amfiteatrin e Madh të BKK-së, nga ora 11:00 deri në 13:00, dhe synon të krijojë ura lidhëse mes krijuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe publikut në Kosovë, duke afirmuar vlerat letrare të diasporës shqiptare.
Biblioteka Kombëtare fton të gjithë dashamirët e librit dhe letërsisë të marrin pjesë në këtë takim të veçantë me letërsinë e mërgatës./Katror.info