Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur përparimin e punimeve në urën e re mbi lumin Ibër. Sipas tij, tashmë janë vendosur trarët kryesorë të strukturës, një hap kyç drejt përfundimit të projektit.
“Një muaj e dy ditë prej kur filluam punimet – u realizuan shumë etapa të rëndësishme: u betonuan pilotat, themelet dhe shtyllat e urës,” ka shkruar Durmishi në një njoftim në Facebook.
Ai theksoi se 18 trarë të mëdhenj, të cilët ishin përgatitur, armuar dhe betonuar në një punishte në lagjen Bair të Mitrovicës, u vendosën me sukses gjatë dy ditëve të fundit.
Në vijim të punimeve mbetet vetëm betonimi i pllakës dhe shtrimi i shtresës së asfaltit. Sipas planifikimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, ura pritet të përfundojë plotësisht dhe të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në muajin shtator.
Ky projekt konsiderohet si një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, duke synuar përmirësimin e lidhjes rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e Mitrovicës dhe zonave përreth./Katror.info