Shqipëria dhe Bashkimi Evropian pritet të mbajnë më 16 shtator konferencën e radhës ndërqeveritare, që do të zyrtarizojë hapjen e kapitujve të mbetur të negociatave për anëtarësim në BE.
Transmetuesi publik shqiptar, duke cituar burime të besueshme, raporton se kjo është data e projektuar për takimin, i cili vjen pas përparimeve të vlerësuara nga Komisioni Evropian.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian konfirmoi më herët për Albanian Post se vendimi për IGC-në e ardhshme pritet të merret më 12 shtator, në mbledhjen e COREPER-it, ku mblidhen ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
“Na duhet të presim mbledhjen e COREPER-it më 12 shtator, ku pritet të shqyrtohet Pozicioni i Përbashkët i BE-së, të paktën për Klasterin 4. Nëse ky pozicion miratohet, atëherë Konferenca Ndërqeveritare mund të mbahet në ditët ose javët në vijim. Megjithatë, në këtë fazë nuk mund të konfirmojmë asnjë datë”, theksoi zyrtari i BE-së për Albanian Post.
Ky reagim vjen në një kohë kur institucionet shqiptare kanë përfunduar shqyrtimin e të gjashtë grupkapitujve të negociatave dhe janë në pritje të sinjalit final nga Brukseli për hapjen formale të tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, deklaroi në fund të gushtit se përgatitjet teknike janë përmbyllur dhe se priten dy konferenca ndërqeveritare të reja me BE-në, që do të shënojnë fillimin e negociatave për grupkapitujt e mbetur, përkatësisht Klasterin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” dhe Klasterin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
“Anëtarësimi në BE mbetet kryefjala e kësaj legjislature”, u shpreh Spiropali, duke e cilësuar përfundimin e shqyrtimit të gjashtë grupkapitujve si një moment kyç në ecurinë e negociatave.
Nga ana tjetër, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka theksoi se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt dhe sistematik në procesin e integrimit, duke nënvizuar se në 10 muaj janë zhvilluar katër konferenca ndërqeveritare dhe janë hapur 24 kapituj dhe tre kritere.
“Me këtë grupkapitull Shqipëria përmbyll fazën e hapjes së negociatave dhe kalon në fazën e përgatitjes për mbylljen e tyre”, deklaroi Dhuka në Komisionin për Çështjet Evropiane.
Nga ana e saj, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi Shqipërinë si “një nga historitë më të suksesshme” të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur hapjen e tre klasterëve në vetëm gjashtë muaj.
Ajo theksoi se ekziston tashmë një konsensus i ri për zgjerimin, por paralajmëroi se “dritarja e mundësisë nuk do të mbetet e hapur përgjithmonë”, duke kërkuar nga vendet e rajonit përshpejtim të reformave.
Nga Samiti për Planin e Rritjes, Kos pohoi se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ka mbështetje të qartë nga Komisioni Evropian, por vendimi final qëndron tek shtetet anëtare.
Nëse vendimi në mbledhjen e 12 shtatorit rezulton pozitiv, atëherë mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare mund të ndodhë brenda shtatorit, duke vulosur zyrtarisht përfundimin e fazës hapëse për të gjithë grupkapitujt./AP/Katror.info.