Sonte fillon edicioni i gjashtë i festivalit “Kino Kosova”, një ngjarje që çdo vit shënon rritje në sasi dhe cilësi të filmave të shfaqur. Për pesë ditë, deri më 14 shtator, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë mbi 30 filma të përzgjedhur, dokumentarë dhe artistikë, të metrazhit të shkurtër e të gjatë, nga Kosova, Zvicra dhe diaspora.
Vendi mysafir këtë vit është Portugalia, ndërsa programi i saj, “Close-up: Portugal”, u kurua nga Cíntia Gil, e njohur për punën e saj në festivalin Doclisboa. Programi synon të trajtojë temat e migrimit, identitetit dhe përvojave të përbashkëta njerëzore, duke nxitur dialogun ndërkulturor.
Edicioni i këtij viti zhvillohet nën temën “Sense of Purpose”, e cila pasqyron tensionin midis ndjenjës së humbjes dhe gjetjes së forcës, duke sfiduar audiencën të reflektojë mbi rolin e artistit dhe komunitetit artistik në kohë të trazuar, thekson drejtori artistik Sabahet Meta.
Në program janë përfshirë filma nga regjisorë kosovarë si Samir Karahoda, Norika Sefa, Ilir Hasanaj, Ibër Deari, Besim Ugzmajli, Florenc Papas, Belkis Bayrak dhe Aulona Fetahaj, si dhe filma portugalezë dhe zviceranë. Përveç filmave, festivali ofron debate, koncerte dhe ekspozita të arteve pamore, duke përfshirë një rezidencë artistike dy-mujore e artistit Yll Xhaferi.
Një nga atraksionet kryesore është prezantimi live i albumit debutues “Hape Portën” nga Agona Shporta, e shoqëruar nga një ansambël muzikor i përbërë nga Tringa Sadiku, Ilir Bajri, Enver Muhamedi dhe Enes Beu. Koncerti mbahet më 13 shtator në Turnhalle/PROGR, Bernë.
Në fokus të edicionit është edhe aktorja kosovare Adriana Matoshi, e cila shfaqet në dy filma që do të kenë premierën zvicerane në festival: “Luna Park” dhe “Everybody Calls Redjo”.
Festivali gjithashtu përfshin programin “Swiss Shorts” dhe projektin “Re-Connect”, një bashkëpunim mes artistëve të rinj nga Kosova dhe Zvicra për të eksploruar tema si identiteti, trashëgimia kulturore, demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Biletat janë të disponueshme në: www.kinokosova.com.
“Kino Kosova” u themelua në vitin 2019 nga Sabahet Meta dhe që nga ajo kohë është rritur në një festival të njohur ndërkombëtarisht, duke i kushtuar vëmendje kinemasë alternative dhe promovimit të dialogut kulturor dhe shoqëror. Meta thekson se synimi është të krijohet një hapësirë ku arti bëhet një pikëtakim për njerëzit, idetë dhe përvojat, jo vetëm një përjetim vizual në ekran./Katror.info