Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka lansuar në Platformën eKosova njëzet e dy (22) shërbime të reja në kuadër të kategorisë “Autoshkolla”, shkruan Katror.info.
Shërbimet e reja synojnë të lehtësojnë procedurat për autoshkollat, ligjëruesit profesionalë, instruktorët e shoferëve dhe pyetësit, duke ofruar mundësinë e aplikimeve, licencimeve, rilicencimeve, regjistrimeve dhe menaxhimit të angazhimeve në mënyrë digjitale.
Disa nga shërbimet kryesore përfshijnë:
- Aplikimet dhe licencimet për autoshkolla dhe ligjërues profesionalë.
- Rilicencime dhe menaxhim të angazhimeve për instruktorë shoferësh.
- Procedura për pyetësit praktik dhe teorik, përfshirë licencimin dhe rilicencimin.
- Regjistrat për autoshkolla, ligjërues, instruktorë dhe pyetës.
Të gjitha shërbimet janë të aksesueshme online përmes Platformës eKosova, duke ofruar qasje të thjeshtë dhe të shpejtë për të gjithë qytetarët dhe profesionistët e sektorit të trafikut rrugor.
Për më shumë detaje dhe për të përdorur shërbimet e reja, vizitoni Platformën eKosova.
/Katror.info.