Jemi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor, një gjest solidariteti ka sjellë gëzim në shumë familje të Skenderajt. Biznesmeni i suksesshëm nga Skenderaji, që jeton dhe vepron në Gjermani, Haxhi Reci, ka dhuruar mbi 300 çanta dhe material shkollor për nxënësit e komunës, transmeton albinfo.ch.
Shpërndarja e pakove u bë me përzgjedhje të kujdesshme të familjeve përfituese.
“Me plot përgjegjësi dhe mirënjohje është realizuar shpërndarja tek ata që kanë më së shumti nevojë”, u tha nga organizatorët e këtij aktiviteti.
Ky nuk është kontributi i parë i Reci për vendlindjen. Ai dëshmuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm për të ndihmuar komunitetin edhe vite më parë.
“Një falënderim i veçantë për Haxhi Reci për këtë kontribut që lehtëson barrën e shumë prindërve dhe u sjell buzëqeshje fëmijëve në ditën e parë të shkollës. Uroj që ky vit i ri shkollor të sjellë dije, suksese dhe gëzim për çdo nxënës të komunës sonë”, u theksua në mesazhin përfundimtar.
Ky gjest solidariteti është shembull i frymës së bashkëpunimit mes diasporës dhe vendlindjes, duke dëshmuar se kontributet e mërgimtarëve mbeten një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin shoqëror e arsimor në Kosovë./Katror.info