Ndonjëherë ndihesh sikur nuk bën pjesë askund? Ke nevojë për pavarësi emocionale? Shpesh të vijnë ide origjinale? Ashtu si Frida Kahlo, Franz Kafka dhe Albert Einstein, mund të jesh një rast i qartë i otroversionit …
Emri: Otrovert.
Mosha: Term krejt i ri.
Nga “otro” që do të thotë “tjeter”.
Dhe “vert” që vjen nga “kthim” (si në divert, convert, invert).
Pra, nëse introvertët kthehen nga brenda dhe ekstrovertët nga jashtë – ku shikojnë otrovertët? Përgjigjja është: askund ku shohin të tjerët. Orientimi i tyre themelor përcaktohet nga fakti që rrallëherë është në të njëjtin drejtim me shumicën.
Këtë term e shpiku psikiatri amerikan Rami Kaminski, i cili e ka njohur këtë tip personaliteti tek disa pacientë – dhe tek vetja e tij.
Si e pa tek vetja? Kur ishte fëmijë, iu bashkua skautëve. Vuri uniformën, u ul në rreth dhe përsëriti betimin. Ndërsa fëmijët e tjerë ndiheshin të mahnitur nga ceremonia, ai shkruan: “Unë nuk ndjeva asgjë”.
Pra, është fjala për të mos u përshtatur. Pikërisht.
A është e keqe kjo? Shumë e kanë parë si problem psikologjik për t’u trajtuar, dhe vërtet ka pasoja sociale në një kulturë që vlerëson përkatësinë, sidomos tek adoleshentët. Otrovertët shpesh janë imunë ndaj asaj që Kaminski e quan “fenomeni bluetooth” – aftësia e të tjerëve për t’u lidhur emocionalisht me këdo që ndodhet afër.
Por nuk është vetëm negative. Kaminski beson se çdo njeri lind otrovert, dhe ata që i rezistojnë kushtëzimit kulturor për t’u lidhur me grupe e identitete të ndryshme, mund të kenë përparësi.
Si p.sh.? Origjinaliteti dhe pavarësia emocionale. Të mendosh vetë dhe të kesh ide të reja. Për këtë ka shkruar edhe një libër: Dhurata e të mosqenit pjesë: Si lulëzojnë të huajt në një botë të bashkuar.
Vini re: është dhurata, jo barra e të mosqenit pjesë.
Shembuj otrovertësh nga historia? Frida Kahlo, Franz Kafka, Albert Einstein, George Orwell … mendimtarë të pavarur që nuk u varën emocionalisht nga asnjë grup, dhe pikërisht për këtë panë fanatizmin e “mendjes së tufës” shumë më herët se shumica.
Pra, otrovertët nuk gjenden në koshere, tufa apo kope. Janë mendje të lira.
Thuaj: “Çdo ditë është Dita e Pavarësisë.”
Mos thuaj: “Pra është si një klub, por për njerëzit që nuk duan klube.”/The Gaurdian/Katror.info
Marrë nga The Guardian.
Përktheu dhe përshtati: Katror.info