Lamborghini ka zgjeruar horizontin e saj përtej asfaltit, duke bashkëpunuar me Cayago për të prezantuar një nga risitë më të fuqishme të teknologjisë detare – skuterin SEABOB SE63.
Ky mjet unik, i prezantuar në premierë botërore gjatë Festivalit të Jahteve në Kanë, sjell dizajnin dhe shpirtin e Lamborghini-t në ujë, duke ofruar një përvojë ngarjeje që deri më tani shihej vetëm në supermakina, shkruan TAR.
SEABOB SE63 përfaqëson një rikonceptim të plotë të modeleve ekzistuese, falë një sistemi shtytës inovativ dhe arkitekturës së re të motorit.
Pajisja është ndërtuar me materiale premium, ku spikasin pjesët prej titani dhe boshti i motorit me fibra karboni, duke siguruar qëndrueshmëri dhe performancë maksimale. Për më tepër, dorezat ergonomike dhe sistemi i ri i krahëve garantojnë kontroll të përsosur edhe në shpejtësi të larta.
Për adhuruesit e ekstremes, një opsion shtesë – Performance Board – ofron stabilitet të plotë dhe ndjesinë e “fluturimit” mbi sipërfaqen e ujit.
Nga ana vizuale, SE63 mbart qartë ADN-në e Lamborghini-t, me linja aerodinamike dhe ngjyra ekskluzive si Arancio Egon, Verde Gea, Grigio Lynx, Verde Selvans, Giallo dhe Bianco Siderale.
Prodhimi i këtij modeli pritet të nisë në vitin 2026, duke i hapur rrugë një epoke të re ku superluksi dhe shpejtësia nuk kufizohen vetëm në rrugë, por edhe në det. /Katror.info