Superndeshje e vërtetë u zhvillua mbrëmjen e së shtunës në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, ku Rahoveci dhe Kastrioti u përballën për trofeun e Superkupës së Kosovës në hendboll.
Pas një drame të madhe dhe përballje të fortë deri në sekondat e fundit, “Vreshtarët” dolën fitues me rezultat minimal 31:30, duke e siguruar për herë të dytë radhazi këtë trofe prestigjioz.
Atmosfera ishte e zjarrtë përballë afro 2500 shikuesve, ndërsa loja u karakterizua nga duele të forta dhe momente vendimtare.
Për Rahovecin, më efikasi ishte Arbios Mushkolaj me shtatë gola, pasuar nga Ardit Tafilaj me pesë, si dhe Mali Luzha e Hamdi Salihu me nga katër gola secili. Në portë u dallua Arbër Curri me pritje të rëndësishme në çaste kyçe.
Te Kastrioti, Festim Mustafa spikati me tetë gola, ndërsa Adonit Isufi shënoi gjashtë dhe Beni Sula pesë. Portierët Dardan Dugolli e Wadi Chebbi gjithashtu u shfaqën në formë të mirë.
Trofeun e Superkupës kapitenit të Rahovecit, Egzon Gjukës, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.
Kjo ndeshje e madhe paralajmëron një garë tepër të fortë për titullin e kampionit në sezonin e ri./Katror.info