Komiteti Olimpik i Kosovës organizon edicionin e 5-të të Festivalit të Filmit Sportiv “Prishtina 2025”, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 shtator në kinemanë ABC në Prishtinë.
Gjatë dy ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 10 filma dokumentarë nga sporti vendor dhe ndërkombëtar. Njëri nga titujt më të veçantë është dokumentari për basketboll “4 Çerekët”, i cili do të shfaqet të mërkurën.
“4 Çerekët” është një rrëfim i pasionuar mbi historinë e basketbollit në Kosovë, duke filluar nga periudhat më të vështira deri te zhvillimet e ditëve të sotme. Dokumentari është i ndarë në katër episode, një simbolikë që pasqyron formatin e një ndeshjeje basketbolli.
Ky projekt është realizuar dhe drejtuar nga Leart Hoxha, prodhim i Katror Media, me kontributin e ish-basketbollistit dhe gazetarit sportiv Blerim Vuniqi. Shfaqja e dokumentarit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përkrahet nga Federata e Basketbollit e Kosovës.
Publiku i Prishtinës do të ketë mundësinë të shijojë këtë dokumentar dhe filmat e tjerë që sjellin pasionin dhe historinë e sportit në vendin tonë./Katror.info