Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Eevameri Laaksonen, me të cilën ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Takimin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Në takim me ambasadoren Laaksonen diskutuam për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Finlandës që në aspektin strategjik ka rol unik për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike të vendit dhe gjithë rajonit”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka thënë se Finlanda është “partnere e rëndësishme” për Kosovën.
“Finlanda si shteti me sistemin më të mirë të arsimit, dhe si vendi me një ndër ushtritë më të përgatitura, për Republikën e Kosovës përbën partner të rëndësishëm për bashkëpunim, andaj u dakorduam që marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale të vazhdojnë të zhvillohen edhe më tutje”.
Finlanda është ndër vendet e para nordike që ka ofruar përkrahje për proceset shtetformuese të Kosovës dhe ka qenë pjesë aktive në misionet ndërkombëtare të sigurisë, përmes kontributit në KFOR dhe EULEX.
Një element që shpesh përmendet në raportin mes Kosovës dhe Finlandës është sistemi arsimor finlandez, i cili konsiderohet si ndër më të avancuarit në botë, duke shërbyer si model për reforma në sektorin e arsimit në Kosovë.
Po ashtu, Finlanda ka një prej ushtrive më të përgatitura në Evropë, gjë që e bën një partner strategjik për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)./AP/Katror.info