Venecia do të vazhdojë të aplikojë tarifën e hyrjes vitin e ardhshëm dhe planifikon të zgjerojë periudhën kur vizitorët ditorë duhet të paguajnë.
Sipas administratës së qytetit, vizitorët do të paguajnë në gjithsej 60 ditë, nga fillimi i prillit deri në fund të korrikut 2026. Kjo rregullore e diskutueshme hyn kështu në sezonin e saj të tretë.
Këtë vit, vizitorët paguanin nga 5 deri në 10 euro në ditë për të kaluar disa orë në zonat përreth Sheshit Shën Mark dhe Urës së Rialtos. Ende nuk është bërë e ditur shuma e saktë për vitin e ardhshëm, por dyshohet se do të jetë më e lartë.
Sezoni i ardhshëm do të nisë më 3 prill 2026 dhe do të përfundojë më 26 korrik. Vetëm këtë vit, mbi 720 mijë vizitorë ditorë u regjistruan, duke sjellë rreth 5,4 milionë euro për qytetin, edhe pse shumë ia dolën të shmangin pagesën. Zyrtarisht, rregullorja ende konsiderohet në fazë prove.
Tarifa synon të ndihmojë në menaxhimin e turizmit masiv në qytetin me atraksione unike. Në vitin e parë ajo u aplikua për 29 ditë, më pas për 54, ndërsa vitin tjetër do të shtrihet në 60 ditë.
Megjithatë, kritikët thonë se tarifa nuk e pengon askënd të vizitojë Venecian, pasi qyteti është tashmë shumë i shtrenjtë, një kapuçino në Sheshin Shën Mark mund të kushtojë deri në 17 euro.
Sot, në qendrën historike të Venecias jetojnë rreth 50 mijë banorë, më pak se numri i shtretërve të hoteleve në qytet.
Vizitorët që qëndrojnë më gjatë janë të përjashtuar nga tarifa ditore, por paguajnë taksën e fjetjes./atsh/ Katror.info