Me ftesë të The Jefferson Educational Society, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në Samitin Global në Erie, Pensilvani, ku foli për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit të saj si Presidente e Kosovës.
Në margjinat e samitit, Jahjaga pati nderin të takohej me ish-presidentin amerikan, Barack Obama, të cilin e falënderoi për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit të saj dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë.
Ajo kërkoi nga Presidenti Obama angazhim të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve, të cilat janë sfiduar kohët e fundit me pezullimin e dialogut strategjik, si dhe mbështetje për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues,” u shpreh ish-presidentja Jahjaga./Katror.info