Mbrëmë Federata e Basketbollit të Kosovës ka lansuar projektin e saj më të ri, “Basketbolli 3.0”, një nismë vizionare që synon zhvillimin dhe promovimin e basketbollit në vend dhe më gjerë.
Ky koncept i ri shënon hapjen e një etape të re për sportin që bashkon mijëra adhurues në Kosovë, duke u fokusuar në ngritjen e nivelit të lojës, fuqizimin e trajnerëve dhe lojtarëve, si dhe frymëzimin e gjeneratave të reja që e shohin basketbollin si ëndërr dhe mundësi, – shkruan Katror.info.
“Ky program edhe të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrim brenda programit kanë me i shërby zhvillimit të basketbollit, ajo që na të gjithë komuniteti jonë e presim me pa durim. Tash, nëse më pyetni pse tash, sepse sezoni po fillon për nja dy javë, jemi të gatshëm edhe për atë sezon, besoj që do ta kemi një sezon të flaktë, domethënë edhe garues, me shumë të panjohura deri në fund të stinorit të ardhshëm, kështu që jemi të gatshëm për gjithçka që po na pret. Ka qenë thjesht, me thanë, njëfarë kurorëzimi i të gjitha aktiviteteve që ne kemi bërë gjatë krejt verës për t’u përgatitë për stinorin e ardhshëm dhe për ditët që na presin në vijim” – u shpreh Arben Fetahu, Kryetar i FBK.
Përfaqësues të Federatës theksuan se “Basketbolli 3.0” do të kontribuojë në forcimin e komunitetit të basketbollit, rritjen e cilësisë dhe krijimin e arritjeve të reja për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Kemi ardhë dakord që pasi po fillon edhe strategjia e re e FBK 2026-2030, të cilën kemi filluar punën me FIBA-n dhe do ta finalizojmë në fund të këtij viti, atëherë kemi mendu që është më së miri të shkojmë drejt basketbollit 3.0, drejt vitit 2030. Pra, gjithëpërfshirja e basketbollit nuk do të jetë vetëm fokus vetëm liga e meshkujve, e dimë që ne tash e disa vite jemi duke i kushtu rëndësi të madhe ngritjes së femrave dhe ngritjes, vizibilitetit, promovimit, kampanjave të ndryshme, po njëkohësisht, tash fokusi do të jetë edhe te gjeneratat e reja, po do të jetë edhe tek projektet që kanë të bëjnë me me shkolla, parashkollorë, tek fëmijët” – tha Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK.
Ndër të tjera, projekti ka për synim kryesor zhvillimin e basketbollisteve femra dhe të rinjve.
“Basketbolli 3.0, qysh u paraqit edhe sot, është me të vërtetë një projekt shumë i mirëseardhur në basketbollin kosovar për shkak se përveç ngritjes ka edhe të bëjë me masovizimin e basketbollit veçanërisht femëror dhe atyre të rinjve. Kështu që për mua si basketbolliste, e cila besoj që një pjesë e madhe e njerëzve më kanë ndoshta edhe si model, besoj që është një nismë shumë e mirë tu fillu edhe prej vajzave të reja” – tha Aulona Muhadri, Kapitene e e Përfaqësueses së Kosovës.
Edhe për ish-basketbollistët që dikur i dhanë hov emrit të basketbollit në Kosovë, është një ndjenjë e veçantë të shohin përparimin që po bën Federata sot.
“Basketbolli gjithmonë është sport për të rinjtë, sport i cili i angazhon të rinjtë, edhe interesant për moshën e re. Më vjen shumë mirë këto iniciativa të cilat po i merr Federata e Basketbollit në përgjithësi, ky komuniteti i basketbollit sjell një freski, sjell një cilësi në zhvillimin dhe përhapjen e interesit për këtë sport kaq të dashtun” – u shpreh ish-basketbollisti legjendar, Mithat Belegu.
Me ‘Basketbolli 3.0’, Federata po hap një kapitull të ri duke ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më premtuese për basketbollin kosovar./Katror.info.