Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të një defekti të papritur në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Luan Haradinaj” ka ndërprerje të furnizimit me ujë deri në sanimin e problemit. Pa furnizim do të mbesin rruga “Luan Haradinaj”, Qendra, Dardania dhe një pjesë e lagjes Kalabria.
Ndërkohë, kompania po siguron ujë të pijshëm përmes autoboteve, teksa qytetarët përballen edhe me një problem tjetër, ndotjen e ujit me mangan.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ditë më parë, ka apeluar që qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim tjetër, pasi vlimi nuk e eliminon manganin. Uji, sipas IKSHPK-së, mund të përdoret vetëm për pastrim dhe mirëmbajtjen e higjienës./RTK/Katror.info