Software Freedom Kosova, konferenca kryesore vjetore për softuerin me burim të hapur në Evropën Juglindore, shënon edicionin e 10-të, një pikë kthese të veçantë që feston 17 vite ndikimi të softuerit me burim të hapur në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë një takimi në organizatën FLOSSK, mbajtur në Prishtina Hackerspace, u prezantuan programi, aktivitetet dhe mundësitë e sponsorizimit për këtë edicion, – shkruan Katror.info.
SFK ka mbledhur së bashku zhvillues, studentë, studiues, sipërmarrës dhe aktivistë për të lidhur, mësuar dhe promovuar softuerin dhe harduerin falas dhe me burim të hapur.
“Me SFK gjithmonë kemi pasë zhvillues, studentë që janë bashku gjatë periudhës së organizimit, dhe normalisht pjesën akademike. Gjithmonë kanë nis projekte shumë të mira për Kosovën dhe jo vetëm, si ‘Prishtina HackerSpace, OpenStreetMap Kosovo, ku kemi ba shumë punë të mirë, jemi i vetmi entitet në Ballkan që kemi mujt me e hap sistemin e adresave edhe njerëzit munden me na gjet shumë lehtë përmes hartave që i përdorim për navigim” – tha Besfort Guri, Kryetar i Bordit Ekzekutiv në FLOSSK.
Me 24-26 Tetor në Prishtinë, SFK pritet të grumbullojë mbi 500 pjesëmarrës fizikë dhe mijëra të tjerë përmes prezencës online dhe platformave të saj të mediave sociale.
“Ne si FLOSSK dhe si SFK jemi shumë entuziastë në organizimin e SFK-it dhe promovimin e open-source softuerit dhe softuerit në përgjithësi, edhe në rritjen e mundësive të kompanive lokale, edhe të inxhinierëve dhe inxhiniereve nga Kosova, që të kenë mundësi që të avancojnë dituritë e tyre në softuer në përgjithësi, edhe Kosova të bohet një pikë reference, sidomos për regjion si ‘outsourcing hub’ për programim edhe për IT në përgjithësi” – u shpreh Bleron Limani nga FLOSSK.
“Shumica e personave që punojnë si programera ose programere në Kosovë, përdorin vegla ose tools të ndryshme open-source, SFK është një mundësi e jashtëzakonshme, me ardhë me i taku prej kompanive prej ma të njohura në botë që janë për softuer” – shtoi tutje.
Ky vit shënon një pikë kyçe për Kosovën, duke e pozicionuar vendin si një qendër në rritje për inovacion teknologjik në rajon.
“Opensourci ka bo një send që na ka ndihmu shumë me u aftësu dhe na jep shërbime për tregun si lokal dhe ndërkombëtar, duke përdorë këtë tools të Opensources dhe për tregin e Kosovës ose Kosovën.”
“Në rastet kur është open-source, të ndihmon ty si zhvillues i ri, me pa qysh e kam zhvillu unë sendin, çfarë drejtimi kam marr, shumë thjesht ti mundesh me i mbikëqyrë qysh e ka kodu, për shembull, një ‘opensource tool’ – tha Arber Bakija, arkitekt i softuerit.
Ky edicion do të nxjerrë në pah se si teknologjitë me burim të hapur po formësojnë të ardhmen.
“Libraria thirret EagerQ edhe ka pasë një impakt mjaft të mirë në fushën e zhvillimit të .net-it, kryesisht ka marrë diku rreth 2500 ‘stars’, që është bajagi një prej arsyeve pse libraria është kaq e famshme, po ashtu ka marrë edhe diku dy mijë e njëzet e katër mijë downloads, domethënë që përdoret prej inxhinierëve të ndryshëm në
kuadër të programimit të fushës së dotnetit rreth globalisht gjatë tërë botës” – u shpreh programeri Albert Kunushevci.
Edicioni i dhjetë do të ketë si ligjërues kryesor David Cuartielles, fitues i Çmimit të Burimit të Hapur 2025, së bashku me 13 ligjërues nga Kosova dhe Evropa që do të ndajnë eksperiencë dhe projekte praktike.
“Menoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos për të ri, për shkak që hap shumë dyer, fillimisht me kriju ni rrjet tu njoftu njerëz që janë goxha moti në profesion, edhe po ashtu me jap kontributin tënd edhe me mësu më shumë gjatë asaj kohe” – tha Behare Konjufca, studente në shkenca kompjuterike.
Përmes punëtorive, ekspozitave dhe sesioneve praktike, SFK 2025 synon të fuqizojë zhvilluesit, startup-et dhe qytetet për të krijuar zgjidhje teknologjike të hapura, gjithëpërfshirëse dhe inovative./Katror.info.