Me ardhjen e vjeshtës, shumë njerëz ndihen më të lodhur, pa energji dhe më të mbyllur në vetvete. Ditët bëhen më të shkurtra, dielli perëndon më herët dhe rutina e përditshme humbet gjallërinë e verës.
Specialistët e shëndetit mendor thonë se kjo është krejt normale, trupi ynë reagon ndaj ndryshimit të dritës dhe temperaturës, por mënyra si e përballojmë bën gjithë diferencën.
Shumë njerëz, si Lotts Dlandu nga Londra, kanë mësuar të mos i dorëzohen kësaj ndjenje. Për vite me radhë ajo ndihej pa energji dhe e izoluar çdo herë që afrohej vjeshta.
Sot, ka kthyer stinën në aleate. Në vend që të mbyllet në shtëpi, ajo planifikon më shumë takime me miq, del nga shtëpia çdo ditë dhe punon nga ambiente të tjera për të mos humbur kontaktin me njerëzit. “Duhet të mësojmë të jemi aktivë, edhe kur është ftohtë”, thotë ajo.
Psikologët theksojnë se ndryshimi i humorit me stinët është i zakonshëm.
Mungesa e dritës ul prodhimin e serotoninës, hormonit të mirëqenies, dhe rrit melatoninën, që na bën më të përgjumur dhe më të plogësht.
Këshilla kryesore, sipas psikoterapistes Georgia Alker, është të mos i nënshtrohemi kësaj prirjeje: “Dilni në ajër të pastër, bëni ecje, ushtrime dhe përpiquni të hani shëndetshëm. Edhe një kafe në ballkon apo një shëtitje e shkurtër bën ndryshimin.”
Por jo të gjithë e përballojnë vjeshtën në të njëjtën mënyrë.
Disa preferojnë të pranojnë ritmin e saj të qetë dhe ta shijojnë ngrohtësinë që ajo sjell. Psikoterapistja Eden Oz këshillon të “romantizojmë” stinën: të ndezim qirinj, të bëjmë banja të ngrohta, të lexojmë apo të gatuajmë ushqime sezonale. “Në vend që të ankoheni për errësirën, mësoni ta shihni si një periudhë qetësimi”, thotë ajo.
Në rrjete sociale, sidomos në TikTok, kjo qasje është kthyer në trend. Video me gjethe që bien, qirinj që digjen ngadalë dhe filxhanë çaji janë bërë pjesë e një lëvizjeje që i fton njerëzit të gjejnë gëzimin në detajet e vogla të përditshmërisë.
Për disa të tjerë, si Hannah Matthews nga Uellsi i Jugut, mënyra më e mirë për ta përballuar stinën është aktiviteti krijues.
Ajo mbush shtëpinë me lule dhe kunguj nga kopshti, pi çaj aromatik dhe gatuan reçel kumbullash e ëmbëlsira me mollë. “Nëse do të kalosh më shumë kohë në shtëpi, duhet ta bësh atë një vend ku ndihesh mirë,” thotë ajo.
Në fund të fundit, siç thotë Jodie Rogers, një tjetër adhurues i vjeshtës: “Nuk mund të jetojmë në një verë të përjetshme. Pranojeni stinën siç është, nxirrni më të mirën prej saj dhe ajo do t’ju përgjigjet njësoj.” /shqip.al/Katror.info