Festivali më i madh i teknologjisë në vend, DOKUTECH, rikthehet këtë vit më 23 dhe 24 tetor në Tech Park Prishtina, si pjesë e nismës kombëtare October Tech Kosovo, nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Organizuar nga The Foundation House (ish-IPKO Foundation), DOKUTECH sjell në një vend folës ndërkombëtarë, përvoja frymëzuese, ekspozita inovative dhe aktivitete ndërvepruese që lidhin komunitetin e teknologjisë, të rinjtë, profesionistët dhe sipërmarrësit e ardhshëm.
Programi i këtij viti përfshin një kombinim të pasur të fjalimeve frymëzuese (keynotes), paneleve tematike, DIY Fair, si dhe aktivitete për zhvillimin e ideve dhe bashkëpunimit.
DOKUTECH 2025 do të hapet me një ceremoni që thekson rolin e Kosovës si një qendër rajonale e inovacionit dhe digjitalizimit, me mbështetjen e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ndër folësit kryesorë për këtë vit janë Edi Demaj, bashkëthemelues i KODE Labs; Chris Petrillo nga Wikimedia Foundation; dhe Hanan Elmasu nga Green Screen Coalition.
Pjesë e veçantë e festivalit do të jetë DIY Fair, ku studentë, startup-e dhe organizata do të prezantojnë projekte kreative në fushën e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, zhvillimit të aplikacioneve dhe robotikës.
Në agjendë do të ketë edhe panele diskutimi, mundësi rrjetëzimi dhe punëtori të ndryshme, të cilat aftësojnë të rinjtë kosovarë në fushën e teknologjisë duke eksploruar implikimet e inteligjencës artificiale.
Gjatë 12 viteve të fundit, DOKUTECH ka arritur suksese të mëdha, nga pritja e folësve dhe sipërmarrësve të njohur, deri te eksplorimi dhe sfidimi i implikimeve sociale të teknologjisë inovative, si dhe lidhja e Kosovës me kufijtë e inovacionit teknologjik ndërkombëtar. Duke bërë këtë, DOKUTECH ka luajtur një rol jetik në formësimin e së ardhmes së industrisë së teknologjisë së Kosovës./Katror.info