Policia e Kosovës ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me qëllim të zhvillimit dhe përforcimit të kapaciteteve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Isak Shabani. Përmes kësaj iniciative, palët synojnë të rrisin bashkëpunimin reciprok, duke krijuar mundësi për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, arsimin dhe trajnimin profesional, si dhe shkëmbimin e përvojave akademike dhe praktike.
Marrëveshja përfshin gjithashtu zhvillimin e projekteve të përbashkëta në sektorin e sigurisë publike dhe arsimit të lartë, duke kontribuar në përmirësimin e profesionalizmit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përpjekjet për avancimin profesional dhe zhvillimin e vazhdueshëm të stafit të saj./Katror.info