Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Sparkassenstiftung dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), lansoi garën rajonale “Stock Market Learning Competition Game”. Kjo iniciativë synon të pajisë studentët dhe profesionistët e rinj me njohuri praktike mbi tregjet e kapitalit, përmes pjesëmarrjes në Bursën Virtuale të Shtutgartit të Gjermanisë.
Ceremonia virtuale e lansimit mblodhi përfaqësues të institucioneve partnere, studentë nga tetë fakultete dhe punonjës të rinj të bankave. Në ngjarje morën pjesë Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, Drejtori i Përgjithshëm i Sparkassenstiftung, z. Niclaus Bergmann, znj. Katharina Middel me ekipin e saj në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK-së, z. Petrit Balija.
Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e garës si një hap të rëndësishëm në promovimin e edukimit financiar dhe forcimin e ekosistemit financiar në vend, duke nënvizuar kombinimin e njohurive financiare me shkathtësitë digjitale në një epokë të teknologjive si fintech, blockchain dhe inteligjenca artificiale.
Ai gjithashtu vuri në pah zhvillimin e tregut të kapitalit në Kosovë, i cili po ndjek standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, dhe nënvizoi se bashkëpunimet ndërkombëtare, si ai me Sparkassenstiftung, ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe përshtatjen e përvojave globale në kontekstin lokal.
Gara do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve për tri ekipet më të suksesshme, duke vlerësuar njohuritë dhe aftësitë analitike të pjesëmarrësve. BQK ka ndërmarrë gjithashtu hapa konkretë për rritjen e transparencës dhe fuqizimin e konsumatorëve, përmes platformës për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare dhe programeve të ndryshme të edukimit financiar në bashkëpunim me institucionet arsimore.
Guvernatori Ismaili përfundoi duke uruar sukses pjesëmarrësve dhe duke falënderuar partnerët, duke rikujtuar përkushtimin e BQK-së për promovimin e edukimit financiar, përfshirjes dhe transparencës në Kosovë./Katror.info